EkonomiKulturëKurioziteteLajmeLajmi i funditShëndetësiShowbizSport

Reagon shoqëria civile: MMPH-ja dhe Komuna e Prishtinës të mos shndërrohen në institucione për degradim të mjedisit

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) përmes një komunikate kanë bërë të ditur se kundërshtojnë të gjitha planet dhe projektet për ndryshimin e destinimit të tokës pranë liqenit të Badovcit, për qëllime afariste/rezidenciale duke ditur rëndësinë e saj strategjike për siguri të furnizimit me ujë të pijes dhe për një mjedis ekologjik për qytetarët e Prishtinës dhe më gjërë.

Shoqëria civile ka theksuar se kërkon nga
Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të marrin
masa për zbatimin e drejtë të Ligjit nr.04/L-147 për ujërat, Udhëzimin
Administrativ të MMPH nr.15/2017, si dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së
Kosovës nr.16/127 për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse
të burimit ujor sipërfaqësor të Badovcit.

“Javë më parë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte propozuar Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Ujërat e Kosovës. Aty, Ministria kishte propozuar ndryshimin e nenit 48 të Ligjit aktual “Mbrojtja e brigjeve të ujërrjedhave dhe akumulimeve” gjegjësisht paragrafin 1.3 tek i cili u propozua të ndryshonte distancën e lejimit të ndërtimit të objekteve nga 30 metra sa ishte në Ligjin aktual në 10 metra nga vija ujore”, thekson komunikata.

“Njëra nga organizatat partnere të këtij reagimi kishte kundërshtuar dhe kishte dërguar komente dhe i bëjmë thirrje edhe njëherë MMPH-së të tërheqë këtë iniciativë të dëmshme ligjore. Sa për rikujtim, bazuar në të njëjtin vendim të Qeverisë (14/127 të datës 24 prill 2013), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendim për prishjen e plazheve të ndërtuara në afërsi të liqenit të Batllavës më 2014, duke kërcënuar me padi Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si investitor në projektin e plazheve në Batllavë”, thuhet në reagim.

Organizatat e shoqërisë civile kanë theksuar
se kërkojnë nga autoritetet të kundërshtojnë të gjitha aplikimet për leje për
realizimin e këtij projekti.

“BGF, GAP, GLPS dhe INDEP, qëndrojnë kundër këtij projekti dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të MMPH dhe Komunës së Prishtinës që: Të kundërshtojnë dhe revokojnë të gjitha aplikimet për leje për realizimin e këtij plani të dëmshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit dhe më gjerë. Të qëndrojnë në mbrojtje të interesit publik të mandatuar nga ligjet në fuqi dhe Kushtetuta.  Të mos miratojnë një projekt që për më tepër ngulfat hapësirat publike, bie ndesh me legjislacionin e vendit për mbrojtjen e burimeve ujore, ndikon negativisht në mjedis dhe biodiverzitet dhe ndikon që Prishtina dhe rrethina e saj të humbin edhe atë pak gjelbërim që ka dhe qytetarëve të ju zbehet mundësia që të vizitojnë liqenin e Badovcit”, theksohet në reagim.

The post Reagon shoqëria civile: MMPH-ja dhe Komuna e Prishtinës të mos shndërrohen në institucione për degradim të mjedisit appeared first on Gazeta Express.