EkonomiKulturëKurioziteteLajmeLajmi i funditShëndetësiShowbizSport

Organizatat e shoqërisë civile dënojnë dhunën ndaj protestuesve në Shtërpcë

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ndaj dhunës që shpërtheu mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Banorët e fshatit Biti e Poshtme kanë protestuar
kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla në lumin Lepenc.

OJQ-të kanë thënë se reagimi i Policisë së
Kosovës ndaj protestuesve është i papranueshëm dhe se secili qytetar ka të
drejtën e protestës.

“Ne kërkojmë urgjentisht nga institucionet përgjegjëse që të adresohet kjo përgjegjësi për përdorim të tepruar të forcës policore. Përdorimi i dhunës gjatë ditës së djeshme tejkalon kufijtë e forcës së nevojshme për reagim nga policia, pasi që forcë e tepruar u përdorë edhe ndaj fëmijëve 7 muajsh, në krahët e nënave, e deri te të miturit 17 vjeçar”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Ne, organizatat e shoqërisë civile të listuara
më poshtë, reagojmë ashpër dhe dënojmë dhunën e ushtruar nga Policia e Kosovës
ndaj qytetarëve të Bitisë së Poshtme, të cilët po protestonin kundër ndërtimit
të hidrocentraleve të vogla në lumin Lepenc, të cilat do të kenë ndikim të
vazhdueshëm negativ në mjedisin jetësor dhe mirëqenien e banorëve të kësaj ane.

E drejta për të protestuar është e drejtë
kushtetuese andaj protestat e qytetarëve në mbrojtje të lumenjve dhe ambientit
jetësor janë të ligjshme dhe demokratike. Urdhri për intervenim të policisë
ndaj protestuesve është sulm i drejtpërdrejtë ndaj parimeve demokratike dhe të
drejtave të njeriut.

Qytetarët e komunës së Shtërpcës, pa dallim
etnie, që nga viti 2015 vazhdimisht kanë protestuar për mbrojtjen nga veprimet
e dëmshme ndaj resurseve ujore (lumenjve) në pellgun e lumit Lepenc,
respektivisht devijimin e ujërave që rezulton në mungesë të tij për nevoja të
bujqësisë, në rrezikshmëri të humbjes së ujit të pijes nga puset dhe bunarët,
në rrezikshmëri më të lartë ndaj erozionit dhe vërshimeve, në humbje të
mundësive për zhvillim social-ekonomik dhe mjedisor, etj. Këta qytetarë
vazhdojnë të protestojnë sepse nuk ishin konsultuar fare gjatë fazës së
planifikimit të hidrocentraleve edhe pse korniza ligjore ua garanton një gjë të
tillë. Është e papranueshme që deri më sot, asnjë nga institucionet përgjegjëse
nuk i ka trajtuar me seriozitet dhe sipas ligjit kërkesat e qytetarëve të asaj
zone, dhe po ashtu as protestat e kërkesat e qytetarëve të Deçanit, Pejës e
Kaçanikut.

Ne kërkojmë urgjentisht nga institucionet
përgjegjëse që të adresohet kjo përgjegjësi për përdorim të tepruar të forcës
policore. Përdorimi i dhunës gjatë ditës së djeshme tejkalon kufijtë e forcës
së nevojshme për reagim nga policia, pasi që forcë e tepruar u përdorë edhe
ndaj fëmijëve 7 muajsh, në krahët e nënave, e deri te të miturit 17 vjeçar.

I bëjmë thirrje Inspektoratit Policor të
Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që menjëherë të fillojnë procedurat hetimore
kundër zinxhirit komandues dhe urdhërdhënësve për përdorimin e forcës së
tepruar mbi fëmijët dhe qytetarët e Bitisë së Poshtme. Po ashtu ftojmë
Prokurorin e Shtetit që të fillojnë me hetimin e të gjithë projektit për
ndërtimin e hidrocentralit në fjalë por dhe hidrocentraleve të tjera në këtë
lum.

Deri më tani, në Kosovë janë 13 hidrocentrale
aktive, ndërsa planifikohen të ndërtohen edhe mbi 100 hidrocentrale të vogla,
kryesisht në hapësira brenda parqeve nacionale. Institucionet kompetente:
Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Zhvillimit
Ekonomik, Zyra e Rregullatorit për Energji dhe komunat përkatëse deri më sot
nuk kanë marrë asnjë veprim për të adresuar kërkesat dhe ankesat e qytetarëve
dhe po ashtu nuk kanë ofruar asnjë argument ligjor dhe të qëndrueshëm për
qytetarët dhe publikun në përgjithësi rreth ligjshmërisë së ndërtimit dhe
operimit të këtyre hidrocentrale, duke e cenuar në vazhdimësi parimin e
transparencës në vendimet që prekin interesin e përgjithshëm

The post Organizatat e shoqërisë civile dënojnë dhunën ndaj protestuesve në Shtërpcë appeared first on Gazeta Express.