EkonomiKulturëKurioziteteLajmeLajmi i funditShëndetësiShowbizSport

Hanson: Objektivi final i dialogut Kosovë-Serbi është njohja reciproke, nuk duhet hapur tema të reja

Drejtoresha
ekzektuive e organizatës “New Perspektiva”, Joanna Hanson, në një intervistë
ekskluzive për Gazetën Express, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në
dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Emërimin e
Matthew Palmer në postin e përfaqësuesit special e sheh si lajm të mirë, ndërkohë
thotë se pavarësisht se Ndërkombëtarët duan një marrëveshje finale mes dy
shteteve, nuk ka afate të caktuara për arritjen e saj. Hanson e cila ma herët
ka punuar edhe si hulumtuese në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të
Britanisë së Madhe, thotë se ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshje përmes
prekjes së kufijve, por vendos pikëpyetjen se sa do të ishte një gjë e tillë e
pranueshme për Bashkimin Evropian. Në këtë intervistë Hanson ka folur edhe për
bërrylat mes SHBA’së dhe Gjermanisë sa i përket dialogut, modelin e “Dy Gjermanive”
dhe asaj se si do të mund të dukej finalja eventuale mes Prishtinës dhe
Beogradit.

Besnik
VELIU

Gazeta
Express: Si e komentoni emërimin e 
Matthew Palmer në pozitën e Përfaqësuesit Special të SHBA’së për
Ballkanin, dhe a e shihni këtë si sinjal se Washingtoni dëshiron të zgjidh
problemin mes Kosovës dhe Serbisë deri në verën e vitit 2020?

Joanna
Hanson:
Është gjë e mirë të shohim se Shtetet e
Bashkuara po i japin çështjes së Kosovës një vëmendje specifike përmes emërimit
të Matthew Palmer-it. Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me BE-në për
dialogun. Ndonëse kohëve të fundit politika e Shteteve të Bashkuara është bërë
më e dukshme, nuk ka qenë gjithmonë e qartë nëse ajo e reflekton mendimin
amerikan. Ndërkombëtarët në përgjithësi do të donin të shihnin një zgjidhje të
marrëdhënieve Kosovë-Serbi sa më shpejt që është e mundur, por kjo nuk do të
thotë se ata kanë vendosur afate të caktuara në qasjen e tyre.

Gazeta
Express: A ekziston ende ndonjë mundësi për shkëmbim të territoreve, si
zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

Joanna
Hanson
: Ekziston gjithmonë mundësia e arritjes së një
forme të marrëveshjes territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse brenda
shteteve, siç e dimë, ka kundërshtime të mëdha ndaj kësaj. Pyetja është se a do
të ishte e pranueshme një marrëveshje e tillë për ndërkombëtarët dhe
institucionet ndërkombëtare, sidomos për BE-në. Edhe Kosova, edhe Serbia janë
duke e kërkuar anëtarësimin në BE.

Gazeta
Express: Çfarë mund të na thoni për rolin e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.
A i shihni lëvizjet e Gjermanisë në dialog, si revansh ndaj lëvizjeve të SHBA’së?

Joanna
Hanson:
Politika duhet të jetë një proces me qasje të
kujdesshme. Gjermania dhe Angela Merkel e kanë luajtur një rol udhëheqës,
konstruktiv dhe të qëndrueshëm gjatë dhjetë vjetëve të fundit në hapjen e
dialogut dhe vazhdimin e tij. Qëndrimi i Angela Merkelit për moslejimin e
ndryshimit të kufirit e reflekton qëndrimin evropian të pasluftës. Ata tashmë i
kanë lënë shenjat e tyre. Presidenti Vuçiq u është referuar në mënyrë specifike
atyre në fjalimet e tij.

Gazeta
Express: Për modelin e “Dy Gjermanive”. A mendoni se është propozim ideal dhe i
implementueshëm?

Joanna
Hanson:
Wolfgang Ischinger ishte përpjekur ta paraqesë
modelin e dy Gjermanive në negociatat e tij gjatë bisedimeve të Troika-s në
vitin 2007. Është një model të cilit i referohemi shpesh. Ai kërkon vullnet të
vërtetë politik nga të dyja palët dhe lënie të historisë anash. Ka funksionuar
për dy Gjermanitë në kohën kur Republika Demokratike Gjermane ishte pjesë e një
blloku komunist në Luftën e Ftohtë. Kjo krijon pyetje të caktuara në kohën kur
Kosova dhe Serbia kanë aspirata për anëtarësim në BE dhe përqafim të vlerave
evropiane, vlera të cilat Evropën e shohin si union të shteteve që ekzistojnë së
bashku, të cilat ia njohin të drejtat njerëzore dhe civile qytetarëve të njëra-tjetrës.

Gazeta
Express: Në pikëpamjen tuaj, si do të dukej zgjidhja finale ndërmjet Kosovës
dhe Serbisë?

Joanna Hanson: Mendoj se marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte një bazë e vlerësuar dhe efektive e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ajo duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe korrekte dhe duhet të kompletohet rruga e dy shteteve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky ishte njëri ndër objektivat e marrëveshjes. Këtu do të përfshihej njohja përfundimtare reciproke në momentin e duhur. Nuk mendoj se ndonjë çështje e re duhet të përfshihet në negociata. Duhet të jemi të durueshëm, diplomacia merr kohë. Liderët e shteteve duhet t’i vlerësojnë me kujdes reagimet dhe fjalorin e tyre dhe të mbajnë në mend se mirëkuptimi dhe marrëveshja kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre dhe ndërtimin e besimit mes dy shteteve dhe komuniteteve brenda Kosovës./GazetaExpress/

The post Hanson: Objektivi final i dialogut Kosovë-Serbi është njohja reciproke, nuk duhet hapur tema të reja appeared first on Gazeta Express.