EkonomiKulturëKurioziteteLajmeLajmi i funditShëndetësiShowbizSport

Droga e tyre trafikohej kudo në Evropë! Policia godet 4 grupe kriminale, vë në pranga 57 persona

Policia e Shtetit ka bërë me dije se pas një
hetimi që ka zgjatur rreth 3 vite, më në fund është arritur të goditen dhe
shkatërrohen 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve si dhe të arrestohen
plot 57 persona, pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale.

Sot është finalizuar operacioni policor i
koduar “LIMIT”, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale në
fushën e narkotikëve.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar 57
persona, si dhe janë shpallur në kërkim 8 të tjerë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis,
kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, fara kanabis, fishekë
luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.

Policia e Shtetit në përmbushje të prioritetit
kryesor, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë
kriminale në fushën e narkotikëve, ka vijuar operacionet e pandërprera në
bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me policitë
homologe të vendeve të rajonit e më gjerë.

Në funksion të këtij hetimi, Task Forca
Speciale Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me
Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë,
Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin e
Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë për Krime të Rënda, finalizoi me
sukses operacionin policor të koduar “LIMIT”, operacion i nisur më parë në
bashkëpunim dhe koordinim të plotë me homologët e policisë greke.

Ky operacion u krye në funksion të procedimit
penal të regjistruar në vitin 2016, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve
“, kryer në bashkëpunim.

Gjatë periudhës së hetimit 2016 – 2019, është
shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë nëpërmjet SELEC-ut për
aktivitetin kriminal të personave të përfshirë në këto grupe kriminale dhe si
rezultat, nga autoritetet policore greke janë arrestuar 34 persona, të cilët
ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve.

Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka
sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg
kokainë.

Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa
qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore.

Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti
kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me
ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë
shpallur në kërkim.

Konkretisht u arrestuan shtetasit:

S.N., 40 vjeç, banues në Tiranë; B. Sh., 46 vjeç,
banues në Mirditë ; A. P. alias A. B., 38 vjeç, banues në Korçë; E. S., 35
vjeç, banues në Korçë; K. Ç., 34 vjeç, banues në Korçë; Gj.Ç., 63 vjeç, banues
në Korçë; B. Z, 55 vjeç, banues në Ersekë; Gj. M., 32 vjeç banues në Korçë; R.
T., 32 vjeç, banues në Ersekë; E. H., 33 vjeç, banues në Korçë; E. M., 26 vjeç,
banues në Korcë; F. Ç. alias f. B., 35 vjeç, banues në Pogradec; E.B., 42 vjeç,
banues në Tepelenë; E.H., 34 vjeç, banues në Fier; A. B., 25 vjeç, banues në
Tepelenë; V. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë; F.D., 56 vjeç, banues në
Tepelenë; A. M., 35 vjeç, banues në Këlcyrë; B. V., 33 vjeç, banues në Sarandë;
A. C., 50 vjeç, banues në Durrës; E. K., 37 vjeç, banues në Durrës; E. J., 38
vjeç, banues në Ersekë dhe B. Z., 27 vjeç, banues në Ersekë.

Si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas ku
vijon operacioni për kapjen e tyre.

Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është
sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në
formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara
kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial,
telefona celularë dhe disa automjete.

Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve
realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat
kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe
kultivoheshin.

Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej
në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin
ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e
kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin
dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët
vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me
destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës
së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të
mësipërm për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e
narkotikeve”, “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe
municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi
i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe
“Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Policia e Shtetit është e vendosur në luftën
pa kompromis kundër krimit të organizuar, parandalimin dhe goditjen e
kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimit në përgjithësi.
Gjithashtu Policia e Shtetit është e fokusuar në thellimin e bashkëpunimit me
partnerët dhe agjencitë ligjazbatuese brenda dhe jashtë vendit, duke shkëmbyer
informacione në kohë reale dhe zhvilluar operacione të përbashkëta me qëllim
goditjen e plotë të grupeve apo individëve që ushtrojnë veprimtari kriminale.

Policia e Shtetit fton qytetarët të vijojnë të
mbështesin dhe bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar çdo rast
paligjshmërie, në numrin unik 112 apo në Komisariatin Dixhital, se vetëm
bashkërisht e luftojmë më mirë paligjshmërinë dhe ndërtojmë një ambient sa më
të sigurt për fëmijët tanë.

The post Droga e tyre trafikohej kudo në Evropë! Policia godet 4 grupe kriminale, vë në pranga 57 persona appeared first on Gazeta Express.