EkonomiKulturëKurioziteteLajmeLajmi i funditShëndetësiShowbizSport

Vajzat e Mitrovicës sot shkruajnë histori, përfaqësojnë Kosovën në eliminatoret e Championsit

Sot në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi i
vajzave i Mitrovicës do të bëhet skuadra e parë kosovare që luan në kuadër të
fazës eliminatore të një gare evropiane.

Mitrovica e pret në
vendlindje Wolfsburgun për ndeshjen e parë në kuadër të 1/16 të finales së Ligës
së Kampionëve, raporton Gazeta Express.

Mitrovica ka shkruar historinë në futbollin e vajzave në
Kosovë këtë vit, pasi që paraqitjet e saj ia kanë siguruar një vend në mesin e
32 skuadrave më të mirë në Ligën e Kampionëve. Kjo ishte hera e parë që edhe
Kosova e edhe Shqipëria po përfaqësohen në rundin e 32 skuadrave më të mira të
Ligës së Kampionëve së vajzave.

Prej sezonit 2012/23, Wolfsburgu ka qenë katër herë në
finale të Ligës së Kampionëve, në dy prej të cilave fitoi medaljen e artë e në
dy atë të argjendtë. Në tre sezonet e tjera ka arritur dy herë deri në
çerekfinale, ndërsa një herë deri në gjysmëfinale.

Sezonin e kaluar, vajzat e Wolfsburgut i fituan të dy
trofetë vendore, duke u shpallur kampione në Frauen-Bundesliga dhe DFB Pokal.

Në anën tjetër, Mitrovica garoi në Ligën e Kampionëve të
vajzave për herë të parë në sezonin 2018/19, megjithatë atë sezon ajo i humbi
në tri ndeshjet në rundin kualifikues.

Për dallim nga ai sezon debutues, këtë herë Mitrovica ishte
shumë më mbresëlënëse pasi që i fitoi të tria ndeshjet në rundin kualifikues
dhe tani synon fitore edhe kundër Wolfsburgut, përkundër që është kundërshtar i
vështirë.

Ndeshja kthyese mes këtyre dy skuadrave, në stadiumin “AOK”,
do të zhvillohet pas dy javësh, më 25 shtator.

Mitrovicaset do të shpresojnë se do të marrin rezultate
pozitive në këto dy ndeshje, në mënyrë që ta vazhdojnë rrugëtimin rekord edhe më
tutje. /Gazeta Express/

The post Vajzat e Mitrovicës sot shkruajnë histori, përfaqësojnë Kosovën në eliminatoret e Championsit appeared first on Gazeta Express.