EkonomiKulturëKurioziteteLajmeLajmi i funditShëndetësiShowbizSport

Vetting dhe rivlerësim në KLP, çfarë roli pati Vladimir Mara në ekstradimin e ‘financierit’ të Habilajve

Më 14 qershor, Komisioni i Pavarur i
Kualifikimit shpalli konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krimeve të Rënda,
Vladimir Mara, së bashku me vendimin për ta dërguar atë për vlerësim etik dhe
profesional pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë në lidhje me dy çështje të
evidentuara gjatë rivlerësimit kalimtar.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregon se njëra
prej çështjeve lidhet me rolin e prokurorit Mara në ekstradimin e diskutueshëm
të Nazer Seitajt drejt Italisë, ndërkohë që çështja e dytë pritet të vlerësojë
përdorimin prej tij të një makine të paregjistruar sipas legjislacionit në
fuqi.

Mara e ka nisur karrierën si oficer i policisë
gjyqësore dhe punon si prokuror prej vitit 2008. Megjithatë, ai është bërë
pjesë e debatit publik për hetimet e kryera ndaj ish-ministrit të Brendshëm,
Saimir Tahiri dhe dosjen e njohur me emrin 339 -ku ekspozohet edhe roli i
krimit të organizuar në zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri.

Prokurori i Krimeve të Rënda e kaloi me
lehtësi testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës. Megjithatë, KPK
vendosi që ta referonte atë në KLP për dy episode e mësipërme.

Ekstradimi i Nazer Seitajt u verifikua me
inisiativë nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko, Firdes Shuli dhe Alma
Faskaj, e cila arriti në përfundimin se “ka pasur mosveprim nga ana e
prokurorit Vladimir Mara në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit të
caktuara nga Gjykata e Krimeve të Rënda”.

Nazer Seitaj u arrestua në 20 tetor 2017 në
Shqipëri, pasi një hetim i autoriteteve italiane e identifikoi atë si pjesëtar
të organizatës kriminale të udhëhequr nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të
ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përgjegjës për eksportimin e disa
tonelatave me marijuanë në drejtim të Italisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi një
procedim penal në emër të tij, por pak javë pas arrestimit, Seitaj u ekstradua
papritur drejt Italisë, ndonëse ndaj tij ishte vendosur masa e arrestit me
burg. Ekstradimi i Seitajt shkaktoi një debat politik në vend, ku Partia
Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim argumentuan se largimi i tij
nga Shqipëria po bëhej me synimin për të penguar hetimin në Shqipëri të
ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Vendimi i KPK-së tregon se një hetim i
Prokurorisë së Durrësit, i iniciuar në atë kohë nga kryeprokurorja Arta Marku u
mbyll gjithashtu pa rezultate.

Sipas vendimit të arsyetuar, Prokuroria e
Durrësit e kishte konsideruar ekstradimin e Seitajt në kundërshtim me ndalimet
e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, por vendosi të mos ngrejë akuzë
për shpërdorim detyre, duke argumentuar se mungonte ana subjektive [dashje e
drejtpërdrejtë] dhe pasoja e pariparueshme [hetimet mund të vijojnë edhe pas
ekstradimit].

Sipas hetimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda
nuk kishte pasur rol në ekstradim, i kryer nga Ministria e Drejtësisë. Hetimi
evidentoi megjithatë mosveprimin në ekzekutimin e masave të arrestit, por
arriti në përfundimin se mund të kishte vend për hetim disiplinor dhe jo penal.

Komisioni e konsideroi mosveprimin një element
të rëndësishëm të ushtrimit të detyrës së një prokurori dhe për këtë arsye,
vendosi ta çojë Marën për inspektim disiplinor pranë KLP-së. Çështja e dytë e
referuar lidhet me përdorimin prej tij të një makine të blerë për 3 mijë euro
nga kushëriri, emigrant në Angli, pa e regjistruar atë sipas legjislacionit në
fuqi.

“Komisioni çmon se përdorimi i një makine të
paregjistruar sipas legjislacionit në fuqi përbën një element të rëndësishëm të
etikës për një prokuror,” thuhet në vendimin e arsyetuar të KPK-së.

“Në këto kushte Komisioni çmon se kjo çështje
duhet të jetë objekt i një procedimi disiplinor nga Këshilli i Lartë i
Prokurorisë…,” përfundon vendimi i KPK./reporter.al

The post Vetting dhe rivlerësim në KLP, çfarë roli pati Vladimir Mara në ekstradimin e ‘financierit’ të Habilajve appeared first on Gazeta Express.