EkonomiKulturëKurioziteteLajmeLajmi i funditShëndetësiShowbizSport

Haradinaj e ka “bllokuar” Brukselin, as pas 5 ditësh s’kanë asnjë qëndrim se çka duhet të ndodhë

Kur Qeveria e Ramush Haradinajt kishte marrë vendim për taksë prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Bashkimi Evropian kishte reaguar prej të parëve. Ata kishin vazhduar me presion konstant ndaj Haradinajt për ta pezulluar një vendim të tillë, me qëllim të vazhdimit të dialogut për normalizim të raporteve Prishtinë-Beograd.

Besnik VELIU

Megjithatë një gjë e tillë nuk po ndodh tashmë kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit dhe në Kosovë po diskutohet rreth datës së zgjedhjeve të reja, apo edhe mundësisë për krijimin e një ‘qeverie teknike’, ide që nuk po përkrahet nga askush.

Zëdhënësja
e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic, në një përgjigje për Gazetën Express, ka
thënë se janë në dijeni për zhvillimet në Kosovë, megjithatë thotë se s’kanë
asnjë koment për çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e reja.

“E kemi
parasysh  vendimin e kryeministrit Ramush
Haradinaj për të dhënë dorëheqje, bazuar në specifikat e letrës së tij të dorëheqjes”,
ka thënë zëdhënësja e BE-së.

Ndërkohë
sa i përket asaj se a duhet Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme, apo të
krijojë një qeveri teknike, Kocijancic ka thënë se në këtë fazë nuk kanë ndonjë
vlerësim.

“Nuk
kemi ndonjë koment shtesë në këtë fazë”, ka potencuar ajo.

Mbase
kjo mungesë e qëndrimit të BE-së për zhvillimet në Kosovë mund të vijë si pasojë
e ndryshimeve të brendshme që janë bërë së fundi në Bruksel, pas zgjedhjeve të
reja. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, është zëvendësuar nga
spanjolli Josep Borell, i cili do të jetë edhe kryenegociatori i ri në dialogun
Prishtinë- Beograd dhe do të komandojë politikën e jashtme të Unionit Evropian.

Ramush
Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të Qeverisë,
pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar si i
dyshuar.

Intervistimi
i Haradinajt ka përfunduar sot, ndërkohë bashkë me të në Hagë ka qëndruar e është
intervistuar edhe ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi.

Derisa
Haradinaj e Krasniqi qëndrojnë në Hagë, në Kosovë partitë politike janë duke i
bërë matematikat për zgjedhjet e parakohshme.

RTK’ja
e thirrur në burime brenda presidencës ka raportuar që zgjedhjet e parakohshme
do të mbahen më 8 shtator të këtij viti.

Fakti
që zgjedhjet e reja mund të mbahen në fillim të shtatorit, tregon edhe për mundësinë
e shtyrjes së takimit të paralajmëruar Prishtinë-Beograd për shtator.

Dushan Janjiq, analist serb, ditë më parë në një intervistë për Gazetën Express pati deklaruar që pret një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajin tetor./GazetaExpress/

The post Haradinaj e ka “bllokuar” Brukselin, as pas 5 ditësh s’kanë asnjë qëndrim se çka duhet të ndodhë appeared first on Gazeta Express.