Uncategorized

Vëllai i nënkryetares së VV-së krahu i djathtë i Devollëve në rastin e Telekomit

Vetëvendosja njihet si partia që më së shumti ka ngritur zërin kundër Devollëve, monopoleve, por edhe në rastin e Z-Mobile, të cilët së fundmi dërguan PTK-në tek përmbaruesi për t’ia marrë 25 milionë euro.

Madje, kjo parti pati thirrur edhe seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për situatën e krijuar në Telekomin e Kosovës.

Mirëpo, gazeta inFokus mëson se është pikërisht vëllai i nënkryetares dhe deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, i cili është caktuar që të ndihmoj Z-Mobile e Devollëve për të marrë 25 milionët nga Posta, gjë që nga udhëheqësit e kësaj të fundit, thuhet se nëse këto merren atëherë edhe rrezikon falimentimi i Telekomit të Kosovës.

Gazeta inFokus ka kontaktuar me deputeten Mulhaxha-Kollçaku, të cilës posa i është bërë pyetja në lidhje më vëllanë e saj e ka ndërprerë lidhjen dhe nuk është lajmëruar më.

Ndërsa, as përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha nuk është lajmëruar në telefon, derisa gazetës inFokus, një nga punonjësit e tij, i ka thënë që Mulhaxha gjendet në një trajnim.

Kompania Z-Mobile me pronar Blerim Devollin ka dërguar të hënën tek përmbaruesi, ashtu siç kishte kërcënuar, kompaninë publike Telekom për ta ekzekutuar vendimin e Arbitrazhit për pagesën 25. 9 milionëshe.

Kështu Telekomi i Kosovës, detyrohet që në afat prej 7 ditësh të ia paguaj kreditorit disa kamata që në total arrijnë shumën e 25 milionëve, shkruan gazeta inFokus.

Në rast se kjo nuk ndodhë, Dardafoni ka kërkuar që të caktohet përmbarim i dhunshëm ndaj Telekomit, që nënkupton se në rast se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare në xhirollogarinë e Telekomit, atëherë pagesa do të ekzekutohet përmes mejeteve financiare nga shitja e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme të Telekomit.

Deri tek krejt kjo erdhi pasi më 16 janar të vitit 2009 “Telekomi i Kosovës” i mundësoi kompanisë “Z-Mobile”, që të funksionon si operator virtual i telefonisë mobile “Vala”, ku “Z-Mobile”, bëhet ortak në biznes të Telekomit me 0 euro investim, dhe merr 72 përqind të të hyrave në bazë të marrëveshjes.

Mospajtimet filluar kur “Z-Mobile” kërkoi 200 mijë numra shtesë, më shumë se sa që ishin ndarë në fillim dhe krejt kjo përfundoi në Arbitrazh, ku më 9 dhjetor 2016 Arbitrazhi vendosi që Telekomi t’i flokonte enumeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3 dhe 4G, ndërsa për dëmin e shkaktuar Arbitrazhi obligoi Telekomin t’i paguante rreth 26 milionë euro gjobë, shkruan gazeta inFokus.

Megjithatë, në vitin 2016, pronari i Z-Mobile, Blerim Devolli bashkë me drejtorin e atëhershëm të Telekomit, Agron Mustafën, bën një marrëveshje në këmbim të së cilës Devolli do t’i falte borxhin Telekomit dhe do kërkonte veç 4.5 milionë për procesin gjyqësor, gjë që pasi u paguan, Devolli vendosi që përmes Gjykatës në Prishtinë të kërkoj edhe 26 milionët, gjë që nënkupton falimentimin e ndërmarrjes që operon me rreth 14 milionë euro humbje në vit./gazeta inFokus.

Comment here